Tatimi progresiv kundrejt tatimit të sheshtë

Fillimisht, ta kemi të qartë; askush nuk thotë se tatimet janë të mirëseardhura. Në shkollë na thonin se tatimet që i paguajmë janë investim për shtet më të mirë në të ardhmen..

“Tatimet janë detyrime që ne i paguajmë për anëtarësi në një shoqëri të organizuar.”Një i mençur

Tatimi progresiv kundrejt tatimit të sheshtë nxit debate të vazhdueshme. Të dyja teoritë kanë mbështetës dhe kritikë. Sistemet progresive të tatimeve, individëve me të ardhura më të larta u ngarkojnë përqindje më të larta tatimimi të të ardhurave të tyre, ndërsa atyre me të ardhura më të ulta u ofrojnë nivele më të ulëta tatimimi. Te tatimimi i sheshtë kemi një normë tatimore për të gjithë tatimpaguesit. Askush nuk paguan më shumë ose më pak se kushdo tjetër. Të dyja këto sisteme mund të konsiderohen “të drejta” në kuptimin kur ato janë të qëndrueshme dhe zbatojnë një qasje racionale ndaj tatimimit. Në anën tjetër, secili nga këto sisteme mund të quhet “i padrejtë” në bazë të asaj se kush përfiton ose humb.

Mbështetësit e sistemit progresiv pretendojnë se pagat më të larta u mundësojnë njerëzve të pasur të paguajnë taksa më të larta dhe se ky është sistemi më i drejtë sepse zvogëlon barrën tatimore të të varfërve. Meqenëse të varfërit kanë të ardhura më të vogla të disponueshme dhe shpenzojnë një pjesë më të lartë të parave të tyre për nevoja themelore të mbijetesës, ky sistem u lejon atyre që të mbajnë për vete më shumë nga paratë e tyre. Tatimpaguesit e pasur janë më të aftë të sigurojnë nevojat e tyre fizike dhe për këtë arsye ngarkohen më shumë. Tatimi i sheshtë do të zhbënte ndryshimet midis taksapaguesve të pasur dhe të varfër. Disa argumentojnë se tatimi i sheshtë është i padrejtë mu për këtë arsye. Megjithatë, tatimi progresiv i trajton të pasurit dhe të varfrit ndryshe, gjë që është gjithashtu e padrejtë.

Tatimi i sheshtë ka një normë tatimore. Të gjithë mbajnë të njëjtën përgjegjësi dhe askush nuk është i ngarkuar në mënyrë të pabarabartë, i pasur ose i varfër. Tatimet këtu nuk i dekurajojnë ata me të ardhura më të larta që të fitojnë më shumë dhe njëkohësisht shkalla e ulët e taksave inkurajon të varfërit të përpiqen të fitojnë më shumë. Sidoqoftë, ky sistem rrezikon t’u marrë shumë para qytetarëve më të varfër.

PARIMI I BARABARËSISË

Në Maqedoni kishim atë eksperimentin hyn-e-dil të tatimit progresiv, dhe unë si idhtar i barabarësisë dhe jo i barazisë do kisha dashur ta arsyetoj qeverinë kur bëri kthimin e ligjit për tatimin progresiv.

Për ta bërë më të qartë, le të themi se kemi tatimin e sheshtë prej 10%. Dmth të gjithë paguajmë njësoj. Dhe kemi pesë persona në shtet me të ardhura si vijon:

  • Personi 1 ka të ardhura prej 2.000 euro në vit, që i bie të paguajë 200 euro tatim.
  • Personi 2 ka të ardhura prej 6.000 euro në vit, që i bie të paguajë 600 euro tatim.
  • Personi 3 ka të ardhura prej 16000 euro në vit, që i bie të paguajë 1.600 euro tatim
  • Personi 4 ka të ardhura prej 50.000 euro në vit, që i bie të paguajë 5.000 euro tatim.
  • Personi 5 ka të ardhura prej 2 milion euro në vit, që i bie të paguajë 200.000 euro tatim.

Pra, shteti ka të hyra në tatime në shumë prej gjithsej 207.400 euro.

Në terma tjerë, i bie që ky milioneri të ketë paguar 96.4% të të gjitha tatimeve. Pa hyrë në detaje nëse kjo është e drejtë dhe e ndershme, shkurt mund të themi se këtu kemi drejtësi. Të gjithë të barabartë para ligjit.

POR, KU QËNDRON PROBLEMI?

Në realitet, në shoqërinë tonë shumica e popullatës bien në kategorinë si Personi 1 apo Personi 2, kështuqë do të na duhet shumëfishi i tyre për të bërë një person si Personi 5. “Por ky i fundit fiton shumë më tepër…“. – E saktë, por ky e ka shumë më të lehtë të jetojë edhe me 70% tatime, sesa të parët me 10%, ku të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë as sa për të mbushur shportën konsumatore mujore.

Nga kjo shihet se dilema “tatimi i sheshtë apo tatimi progresiv” mund të jetë më shumë një pyetje shoqërore ose politike sesa një çështje financiare. Koncepti i një takse progresive është në thelb një koncept i thjeshtë: Sa më shumë që fitoni, aq më shumë taksa paguani, me normën e taksës që rritet gradualisht siç bëjnë të ardhurat tuaja. Sidoqoftë, sistemet tatimore në vendet e zhvilluara (dhe te ne që duam të na quajnë vende në zhvillim) është sistem i komplikuar aq shumë sa ka humbur thjeshtësinë e tij, pa llogaritur këtu burokracitë dhe ndërhyrjet e elitave në ligjvënie. Prandaj edhe sistemi i taksës së sheshtë duket të ketë popullaritet më të lartë. Modeli progresiv mund të jetë më i drejtë në teori, por drejtësia e vërtetë është mënyra sesi zbatohet sistemi.

ZGJIDHJA E PROBLEMIT?!!!

Qeveritë duhet të krijojnë sisteme të mençura të drejtësisë dhe barabarësisë ku shoqëria është e vetëdijshme se njerëzit e bëjnë shtetin, jo shteti njerëzit.