Këto ditë rastësisht në një ndejë u takova me një dajo të largët që kishte ardhur për pushime në vendlindje. Kishte dëgjuar se krijoj uebfaqe, e më kërkoi t’ia bëj një për biznesin e tij të saponisur në Gjermani.
Daja:- Sa po mi lyp, dajës? Kshtu… uebfaqe e thjeshtë, statike, veç të dhana për firmën.
E mendova që ajo punë do t’më mirrte rreth pesë orë. E pyeta:
Unë:- Dajo, sa i pagun ti punëtorët tu?
Daja:- Paj, punëtorët e thjeshtë 12 deri 18 euro.
Unë– E pse nuk po e krijon vet uebfaqen?
Daja:- Po nuk di bre daja, se me ditë e baj vet.
Llogarinë që ia bëra doli:
5 orë x 18 euro = 90 euro (për kohën që një punëtor i tij do t’ia bënte nëse supozojmë se do dinte të krijonte uebfaqe)
5 orë x 5 euro = 25 euro (aq sa paguhem për punën që e bëj në Maqedoni)
Gjithsej 115 euro nga haku i punës.
Këtë po e shumëzoj me 5 për hakun e zanatit dhe shkollës që kam.
Unë:- Dajo, kjo punë kushton gjithsej 575 euro. Si për dajo, po e rrumbullaksojmë me 500.
Daja:- Përhajr na koftë!
Unë:- Tu rritë nera!
Kjo metodë mund t’ju shërbejë si orientim për përcaktimin e çmimit kur krijoni një uebfaqe apo punë të ngjashme për ndonjë klient.
Sigurisht, formula mund të ndryshojë varësisht vështirësisë së krijimit dhe asaj se çfarë kërkon klienti.
Apo nëse bëhet fjalë për dajën apo për atë biznesmenin që vozitë makinë 200 mijë euroshe.