Jo gjithçka duhet bërë për para

Një shofer taksie nuk e ka për obligim të çohet ta kapë për dore dhe tia kalojë rrugën një plake të pafuqishme, por megjithatë ndalon makinën dhe e bën këtë.

Një pastrues komunal i rrugëve, nuk e ka obligim, por ja që me ëndje ia tregon rrugën një turisti i cili ndalon për ta pyetur se ku gjendet Kalaja.

Një shitës në një dyqan, nuk e ka për obligim, por ja që vrapon matanë rrugës dhe ia tërheq vërejtjen njërit që sapo parkoi makinën në trotuar, se aty policia gjobit dhe marimanga i mbledh makinat të parkuara keq.

Një student që shkoi në një institucion shtetëror për disa dokumente, nuk e ka obligim, por ja që i ndihmoi një të moshuari që ta mbushte fletëaplikacionin por i kishte harruar syzet në shtëpi.

Të gjitha këto situata nga jeta e përditshme, flasin se jo gjithçka bëhet për para. Ka gjëra që bëhen nga dashuria, gjëra të cilat bëjnë të fitojmë zemrat e të tjerëve. Bota lumturohet me njerëz të këtillë.